Academia.eduAcademia.edu

Telet e zëmrës – kumte poetike nga Arbëria

2015, Jeta Arbëreshe, nr. 80

Vëllimi i fundit poetik i Buzëdhelprit Telet e zëmrës, botuar vitin e shkuar në Prishtinë, shënon një sukses të ri për letërsinë arbëreshe dhe atë shqiptare në përgjithësi. Në këtë artikull analizohen disa nga temat kryesore që trajtohen në këtë vëllim, të cilat e njohin lexuesin shqiptar të përtej detit me jetën e katundit arbëresh dhe njerëzve të tij. Interes të veçantë për autoren e shkrimit paraqet gjuha që përdor autori, një formë standarde e arbërishtes. Kjo formë përbën një pasurim të shqipes në përgjithësi dhe autorja e shkrimit këmbëngul që disa struktura bazë të kësaj forme t’u bëhen të njohura nxënësve në të gjitha trojet shqiptare që në shkollë në mënyrë që në të ardhmen ata të kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë burim të pasurimit të gjuhës së tyre dhe të shijojnë edhe këtë pjesë të letërsisë së tyre kombëtare.

1 Ina Arapi (Vjenë) Telet e zëmrës – kumte poetike nga Arbëria Vëllimi i fundit poetik i poetit Augustin Xhordano Telet e zemrës, që u botua vitin e shkuar në Prishtinë, i vjen lexuesit shqiptar nga bota arbëreshe, një botë me të cilën raportet tona njerëzore, shoqërore e kulturore pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri u ripërtërinë e u gjallëruan. Në këtë proces luajtën rol jo vetëm marrëdhëniet krejt të reja që u vendosën midis vendeve evropiane pas kthesës së madhe politike në vitet ʾ90 të shekullit që kaloi, por edhe lindja e përhapja e mjeteve masive të komunikimit publik si interneti e Emaili, që mundësojnë kontakte të vazhdueshme dhe shkëmbimin e mesazheve, me anë të të cilave jemi pothuajse gjithmonë atje ku zhvillohen ngjarjet. Në këtë mënyrë edhe Arbëria, nga një botë e pakapshme për të cilën mësonim vetëm në faqet e librave shkollorë apo tek tuk edhe nga ndonjë botim a shkrim në gazetë, u kthye për shqiptarët ballkanikë në një botë reale, të prekshme, në një pjesë të botës së përgjithshme shqiptare me të cilën mund të japim e të marrim si të dëshirojmë. Vetë autori, Augustin Xhordano, që në fushën e letrave njihet më tepër me pseudonimin Buzëdhelpri, është një personalitet kompleks me shumë kontribute në jetën kulturore e shoqërore të Arbërisë. Pikërisht nëpërmjet internetit jam njohur fillimisht me revistën Jeta arbëreshe, të cilën ai e nxjerr prej shumë vitesh, revistë që e lexoj me ëndje e interes për shumë arsye: në radhë të parë për informacionet e shumta që sjell prej kësaj pjese të universit shqiptar, të shkrimeve me karakter studimor për botën, gjuhën dhe letërsinë arbëreshe e shqiptare, si dhe për gjuhën që përdor, gjuhën e katundeve arbëreshe, çka e bën këtë revistë një fenomen gjuhësor unik në lëmin e letrave shqipe, pasi të gjitha organet e tjera të shtypit që dalin kudo në botë në gjuhën shqipe shkruhen pa përjashtim në gjuhën letrare. Prandaj, me anë të kësaj reviste drejtori Augustin Xhordano i bën një shërbim të pashembullt jo vetëm arbërishtes, por edhe vetë shqipes moderne duke ia mbajtur të gjalla rrënjët e burimin dhe duke na risjellë vazhdimisht e me një këmbëngulje të pakrahasueshme para syve brumin autentik e gjenuin të saj, si ushqimin më të mirë për ta mbajtur të shëndetshme e të freskët këtë gjuhë, në një kohë kur presioni i gjuhëve të tjera të mëdha është tepër i madh. Për lexuesin e rregullt të Jetës arbëreshe është interesant fakti që drejtorin e saj, të cilin prej revistës e njeh si një individ jashtëzakonisht të angazhuar, nëpërmjet krijimtarisë poetike e përjeton si një poet të mirëfilltë, me një botë shpirtërore shumë të ndjeshme, duke zbuluar kështu dhe anën tjetër të medaljes. Megjithatë, është e qartë se në fillim ishte poezia. Përmbledhjen e parë Hroaza autori e botoi kur ishte 21 vjeç, çka na bën të mos i shpëtojmë krahasimit klasik me De Radën, i cili e shkroi veprën e tij më të njohur, Këngët e Milosaos, në të njëjtën moshë. Edhe në një mesazh të dërguar para disa ditësh autori më dëshmon “se këto "botime të mi poezish ose tufash poezish" mbi revistat shqiptare kane filluar heret, çe ne vitet '70: aq ne Maqedonì sa ne Kosove e ne Shqiperi” (2. 6. 2014). 1. Një vëllim poetik për dashurinë njerëzore dhe mallin 2 Përmbledhja Telet e zëmrës përmban 85 poezi, 10 prej çdo vëllimi të mëparshëm (Hroaza, Castrovillari 1971, Hapa mbi kalldrëm, Shkup 1976, Bota arbëreshe, Tiranë 1997) dhe 50 krijime të reja. Ideja dhe ndjenja bazë mbi të cilën është ngritur kjo përmbledhje është ajo e dashurisë; e dashurisë për qenien njerëzore, për njeriun arbëresh dhe shqiptar, për universin, për botën shqiptare, për katundin arbëresh, për prindërit, për fëmijët, për gruan. Që në titull na tërhiqet vëmendja se bëhet fjalë për një poezi që del nga zemra dhe prek telat e saj. Pikërisht nëpërmjet kësaj ndjenje supreme njerëzore përshkruhet bota që e rrethon autorin, që është bota tradicionale e njeriut shqiptar, në të cilën familja, dashuria dhe respekti për prindërit e të parët zë vendin kryesor. Kësaj teme i kushtohet edhe një cikël i veçantë, cikli Sytë e prindëvet (fq. 100-109), që përmban disa lirika të mrekullueshme për dashurinë prindërore dhe hapet me poezinë Atit tim: Ti je tata im /e u te zëmra jote kam rrënjët e menatës, thotë poeti. Nga këto vargje kuptojmë se çfarë përfaqëson familja për poetin: jo vetëm ngrohtësinë e nënës që e rrit e e burrëron djalin, jo vetëm sytë e atit që shkëlqejnë me ëmbëlsi dhe i qëndrojnë pranë e i japin forcë birit në çdo moment të jetës, por edhe vazhdimësinë e vetë jetës, tharmin e së ardhmes. Një botë harmonike kjo që e gjen forcën e saj në trinomin ati – biri – nipi, çka shprehet më së miri në figurën e plakut që i shtrin duart nipit që do të lozë. Mos ndoshta te ky ligj ekzistencial duhet kërkuar edhe sekreti i ruajtjes së qenësisë gjuhësore e kulturore arbëreshe? Te poezitë Tatës tim (44) dhe Për vëllezërit shqiptarë (46) dashuria ndaj prindërve merr karakterin e një kulti. Por kjo dashuri do të ishte e vetmuar sikur të mos shoqërohej nga dashuria për njerëzit e tjerë, për bashkëfshatarët, për pleqtë, për të varfërin - të nëmurin a murgun në të folurën e autorit (Lotët e të nëmurit, 38, Do të priresh edhe sonde, 39, Përpara pengores së varfërisë, 43), delarin “bariun” që ndodhet jashtë në erë e shi, për lypësin e mjerë. Brenda dashurisë që e përshkon si fill i kuq jetën e autorit një vend të veçantë zë dashuria për gruan. Për këtë të fundit ai përdor fjalën e hershme shqipe mall, si në titullin e poezisë Lerja e mallit (fq. 55), të cilin Xhordano e “përkthen” në shqipen letrare me “Lindja e dashurisë”. Është një fjalë që e lidh autorin me folklorin arbëresh - shqiptar dhe veprat e parardhësve të tij, duke filluar që nga De Rada (Ja, si bregu i braktisur /gjembave e thellëzave, /ku vinë e ndërtojnë njerzit /një katund plot hijeshi /te luginat gjelbërore, /është malli i trimave - Këngët e Milosaos, XI) e deri te Lasgush Poradeci (Dh’aher’ i dehur prej durimit /Në mall të madh të këngës sate - Naimit). Fjala mall ka njëkohësisht edhe kuptimin “e dashur”, si në poezinë e parë Natën që hap vëllimin, poezi për një dashuri që s’mund të realizohet dhe jeton vetëm në nënndërgjegje: Natën, /mall, /të gjënj në shtegun e ëndrravet /Ditën /të bíer ndë mes t’gjindëve ‘ paëmër (fq. 13). Fjala përcakton një gjendje të veçantë emocionale, një ndjenjë specifike të lindur në rrethanat tipike ballkanike, të cilën gjyshstërgjyshërit e sollën me vete në atdheun e ri. Kjo fjalë përdoret me të njëjtin konotacion edhe në rumanishten dhe është një element i botës sonë shpirtërore që na bashkon me këtë popull tjetër ballkanik. Dashuria përfaqëson për poetin strumbullarin e jetës. Prandaj dhe thirrja e tij është “Dashuro!“. Ja si e shpreh këtë ide në poezinë Dashuro, more vëlla: Dashurò, more vëlla /E 3 mbrëmanet /kur shuan zjarrin e vatrës /kamnuan s’do t’e mallkosh /tymin e helmet e ditës do t’i harrosh /si trim/ çë s’i trëmbet më ulkut (fq. 101). Dashurisë i kushtohet cikli me 12 vjersha Në tregun e gazevet (49-60) në kapitullin Telet e zëmrës. Në poezinë Vashës sime përshkruhet me mjeshtëri marrëdhënia midis dy të dashuruarve: Më pëlqen ngaherë edhe kur thua se s’je e bukur /Të kuptonj ngaherë edhe kur t’duket se s’të gjegjënj /Të vërenj ngaherë /edhe kur thua se ruanj gjetkë /Mos ki besë se është le për mua /kur të lë me një “T’dua mirë!”. Shumë e gjetur nga ana psikologjike është edhe poezia Qetësia ime, mëria jote (60). Në poezinë Poetit (58) shprehet dashuria dhe mirënjohja për bashkëshorten që i qëndron pranë dhe e frymëzon gjatë procesit krijues. 2. Katundi, qendra e jetës Në vëllim gjejmë poezi të arritura lirike që përshkruajnë natyrën dhe jetën e fshatit në një mënyrë të re. Kështu, Giordano i këndon borës e shiut me një gjendje të trazuar shpirtërore që lëkundet midis qetësisë, shqetësimit, meditimit e gëzimit, si te Pika shiu (108), në të cilën rrëketë e shiut në xhamin e dritares i krahason me autostradat ku ecin fantazitë e të birit, e të riut në kulmin e jetës. Një vend të rëndësishëm zë jeta shoqërore e katundit. Në ciklin Sheshi i heronjvet (61-72), po ashtu me 12 vjersha, trajtohet sidomos tema sociale e përqëndruar rreth figurës së të varfërit dhe lypësit, por ka dhe poezi që na tregojnë për jetën e katundit arbëresh me melankolinë e natës, marrëdhëniet njerëzore (I dashuri i reshtur, 72) apo dhimbjen e madhe për vdekjen e kisharit, këtij personazhi simbol për shumë fshatra arbëreshe, ku identiteti fetar është një element me shumë rëndësi i identitetit kulturor . Por autori nuk qëndron këtu. Si një krijues i angazhuar ai nuk ka sesi të mos e shfaqë shqetësimin dhe dhimbjen e tij të thellë për vëllezërit e përtej detit dhe plagët e tyre në kohën tonë, siç e shohim te poema Nata e Kosovës, që shënon nga pikëpamja ideore dhe emocionale kulmin e të gjithë vëllimit. 3. Poezitë meditative-filozofike Vëllimi përmban një numër të konsiderueshëm poezish të bazuara në meditime e përsiatje filozofike. Dua të përmend sidomos vjershat E shkoi edhe sonde, Bie borë, Shkuan shumë vjet, Eja e m’gjëj, Sonde, Të taksënj, Mos u ngur, Somenatë, Udha, të gjitha nga vëllimi i parë poetik i autorit botuar kur ai ishte vetëm 21 vjeç. Mes tyre ia vlen të veçohet poezia ende shumë aktuale Mos u ngur, një protestë ndaj mënyrës së jetesës së njeriut modern që vetëm vrapon. Këto krijime, bashkë me ato më të reja, si Qetësia ime, mëria jote (60) vërtetojnë konkluzionin e nxjerrë nga Elsie (1997 : 472) se “letërsia e sotme arbëreshe është fuqizuar dhe ka hyrë në shtratin e kulturës bashkëkohëse perëndimore. Ajo e ka kapërcyer mjaft karakterin provincial tipik për shumë letërsi të vogla e kryesisht fshatare”. Më poshtë, ai i cilëson poezitë e Augustin Xhordanos si “poezi të shquara” (Elsie 1997: 476). 4. Gjuha 4 Duke qenë e shkruar në një varietet të rrallë të shqipes, vepra e Xhordanos ka rëndësi të madhe edhe nga ana gjuhësore. Fjalë si menatë, somenatë, suvalë “valë”, le “lehtë” apo trajta dialektore ulk e identifikojnë menjëherë tekstin si tekst arbëresh. Edhe mutacione të tilla semantike, si i nëmur ose murg për të varfërin. Vetë autori na sqaron se ka filluar të botojë poezi në fund të viteve ’60 të shekullit të shkuar në arbërisht, më vonë në shqipen moderne dhe pas kësaj përsëri në një formë standarde të arbërishtes të përpunuar sidomos nga i ungji, papas Emanuele Xhordano (Giordano 2010: 122-3). Sigurisht që rreth kësaj zgjidhjeje të autorit mund të diskutohet shumë dhe në shumë plane, por personalisht më duket një gjetje e goditur. Së pari, sepse duke qenë arbëresh ndjenjat e mendimet mund t’i përcjellë më së miri në gjuhën e nënës. Së dyti, sepse nuk është thjesht gjuha e katundit, por një formë standard që e kuptojnë edhe të tjerë. Së treti, sepse kështu i bën mirë shqipes, duke ia pasuruar format dhe shprehjet. Dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar, duhet fare pak mundim për ta marrë vesh si funksionon. Vetë i kam lexuar me shumë ëndje poezitë e Xhordanos dhe, siç e kam shprehur edhe njëherë tjetër në revistën Jeta arbëreshe para shumë vitesh, mendoj se është e domosdoshme që disa fjalë e struktura të arbërishtes t’i mësohen nxënësit shqipfolës që në shkollë, me qëllim që në të ardhmen të ketë mundësi ta shijojë edhe këtë pjesë shumë interesante dhe të bukur të letërsisë sonë kombëtare. Literatura: Buzëdhelpri (Agostino Giordano). 2013. Telet e zemrës. Poezi. Prishtinë. Shtëpia Botuese “Faik Konica”. Elsie, Robert. 1997. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë-Pejë. Shtëpia Botuese “Dukagjini”. Giordano, Agostino. 2010. Prirje për një farë standardizimi të arbërishtes: kontributi i Emanuele Giordano-s. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 29 /1. Prishtinë. Fq. 119-125. Përmbledhje Vëllimi i fundit poetik i Buzëdhelprit Telet e zëmrës, botuar vitin e shkuar në Prishtinë, shënon një sukses të ri për letërsinë arbëreshe dhe atë shqiptare në përgjithësi. Në këtë artikull analizohen disa nga temat kryesore që trajtohen në këtë vëllim, të cilat e njohin lexuesin shqiptar të përtej detit me jetën e katundit arbëresh dhe njerëzve të tij. Interes të veçantë për autoren e shkrimit paraqet gjuha që përdor autori, një formë standarde e arbërishtes. Kjo formë përbën një pasurim të shqipes në përgjithësi dhe autorja e shkrimit këmbëngul që disa struktura bazë të kësaj forme t’u bëhen të njohura nxënësve në të gjitha trojet shqiptare që në shkollë në mënyrë që në të ardhmen ata të kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë burim të pasurimit të gjuhës së tyre dhe të shijojnë edhe këtë pjesë të letërsisë së tyre kombëtare. 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16