Lasgush Poradeci
Llazar Sotir Gusho | |
---|---|
U lind më | 27 Dhjetor 1898 Pogradec, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 12 Nëntor 1987 |
Kombësia | shqiptar |
Edukimi | Universiteti i Gratz |
Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci (Pogradec, 27 dhjetor 1899 – Tiranë, 12 nëntor 1987) ka qenë poet, arsimtar dhe kritik shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Pogradec, i biri i Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e nisi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në liceun rumun në Manastir nga 1909 deri më 1916. Për shkak të Luftës së Parë Botërore i ndërpreu studimet për të shkuar më pas në Athinë, ku u regjistrua në Liceun Leonin të fretërve maristë - ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Pa u mbyllur viti 1920, e dëbuan nga sanatoriumi sepse e zunë me një infermiere.[1]
Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.
Verën e vitit 1924 qeveria Noli i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit "Karol Francik" në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.
Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vitet 1944-'47, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen.[2] Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore "Naim Frashëri" deri kur doli në pension më 1974. Gjithnjë i vlerësuar për veprën e tij, njerëz të pushtetit si Isuf Kambo, dhe të kulturës gjatë diktaturës si Ismail Kadare, Llazar Siliqi dhe Vehbi Bala e ndihmuan dhe iu gjendën pranë.[3]
Ndërroi jetë në kryeqytet më 12 nëntor 1987.[4] U varros në Pogradec.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkroi herët por poezitë i botoi nga fillimi i viteve '20. Lasgushi nuk duronte t'i thonin as simbolist, as modernist me arsyetimin që poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe është humaniste.[5]
Vallja e Yjeve (1933) ka këtë strukturë ciklore: I. (Në vend parafjale) Zog i Qiejve, II. Vallja e Qiellit, III. Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V.Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë.[6]
Pas luftës jetoi në vetminë e vet. Krijoi edhe tri vepra të mëdha poetike: Mbi ta, Kamadeve dhe Eskursioni teologjik i Sokratit.[7]
Vlerësimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin "Nderi i Kombit" dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin "Qytetar nderi".
- Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin e tij.
- Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla "9-vjeçare Lasgush Poradeci".
- Rruga te diga e liqenit artificial të Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: UET press. ISBN 9789995639457.2023))
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 139. ISBN 9781845110314.
- ^ Gusho, Marie (20 gusht 2016). "Persekucioni komunist ndaj babait vazhdon; vlerësimi më i madh nga Noli e Zogu". tesheshi.com.
- ^ Kaloci, Dashnor; Gusho, Maria (25 qershor 2019). "Letra e rrallë e Lasgush Poradecit, për të bijën: Kostandinë, e shikon sa e rëndë është jeta, por ka dhe njerëz të mirë si Kadareja…". Marrë më 28 qershor 2019.
- ^ Elsie 2005, p. 140.
- ^ Hamiti 2013, p. 254
- ^ Hamiti 2013, p. 255-257
- ^ Hamiti 2013, p. 253
- Pages using Infobox writer with unknown parameters
- Lindje 1899
- Vdekje 1987
- Mësues shqiptarë të shekullit XX
- Publicistë shqiptarë
- Poetë shqiptarë
- Njerëz nga Pogradeci
- Përkthyes prej gjermanishtes në shqip
- Përkthyes prej rumanishtes në shqip
- Njerëz nga Vilajeti i Manastirit
- Absolventët e Universitetit të Gracit