Kryengritja Arbërore (1432-1436)
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Kryengritja Arbërore e viteve 1432-1436 qe një vazhdë përballjesh mes kryengritësve arbërorë dhe Perandoria Osmane gjatë periudhës së hershme të sundimit osman në rajon. Të nxitur prej zëvendësimit të fisnikërisë vendore me timarlinj të ardhur, centralizimit të qeverisjes dhe sistemit tatimor osman, paria dhe pasuesit e tyre të udhëhequr nga Gjergj Arianiti ngritën krye kundër osmanëve.
Gjatë fazës së hershme të kryengritjes shumë timarlinj u vranë ose u dëbuan. Kur u përhap, fisnikët pronat e të cilëve qenë përvetësuar nga osmanët, u përpoqën të lidhnin aleanca me Perandorinë e Shenjtë Romake. Ndonëse fisnikët arbër ia dolën t'i thyenin valët e fushatave osmane, nuk ia dolën të shtinin në dorë asnjë kështjellë me rëndësi në Sanxhakun Arvanid. Rrethime të zgjatura si ai i Gjirokastrës, kryeqendër e sanxhakut, i dhanë kohë osmanëve të mblidhnin fuqitë nëpër perandori dhe ta nënshtronin kryengritjen nga fundi i 1436.
Pasi kryengritja e gjerë u shua, ata që pranuan syzerenitetin Osman u lejuan t'i mbanin zotërimet e tyre dhe autonominë e pjesshme. Shumë timare iu caktuan prijësve arbër ndër radhët e osmanëve, si Jakup Muzakës dhe Skënderbeut. Përgjatë paqtimit, disa vise rurale nuk ishin pajtuar, kështu edhe shpërtheu kryengritja e Teodor Muzakës më 1437. Me rivendosjen e autoritetit osman, përpjekjet centralizuese dhe zëvendësimit të fisnikëve vendas me timarlinj të caktuar nga devleti osman u përvijuan. Politika këto që çuan drejt lëvizjes që u shfaq pas Lidhjes së Lezhës.
Prapavija
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nëpërmjet regjistrimeve të herëpashershme të banorëve e të tokës dhe të ndarjes së saj në prona të vogla feudale (timare), osmanët vendosën sistemin feudal ushtarak osman të timareve, që ishte i ngjashëm me sistemin e pronies bizantine.
Kjo lloj prone ishte në shpërbërje të plotë në prag të pushtimit osman dhe shoqëria shqiptare ndodhej në fazën e zhvilluar të feudalizmit, ku prona tokësore shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve osmanët i zhveshën fisnikët shqiptarë nga pronat e mëdha tokësore dhe nga pozitat e tyre drejtuese. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme të njësiteve osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, të shoqëruara me dhunë të egër e me shkatërrime masive, me rrëmbim të fëmijëve për të mbushur repartet e jeniçerëve si dhe me rrëmbimin e të rriturve për t`i shitur si skllevër, e dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit dhe shkaktuan një pakënaqësi të thellë në të gjitha shtresat shoqërore, duke i bashkuar e duke i ngritur këta në luftë kundër armikut të përbashkët, pushtuesit të huaj osman. Qëndresa dhe lufta e shqiptarëve shpërtheu kudo në forma të ndryshme deri në kryengritje të organizuara.
Përballë një pushtuesi shumë të fuqishëm e të organizuar mirë, siç ishte Perandoria Osmane, një pjesë e shqiptarëve braktisnin përkohësisht vendbanimet e veta, duke u strehuar në vise të thella e malore, ku mund të përballohej më lehtë dhuna e pushtuesve. Të tjerë morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën në Itali e në vende të tjera të huaja.
Braktisja e fshatrave nga banorët u bë një dukuri e përhapur në rajonet ku zhvilloheshin luftime ose që gjendeshin pranë rrugëve nga kalonin ushtritë pushtuese. Kjo dukuri është pasqyruar në regjistrin kadastral osman të vitit 835 h. (1431-1432), në të cilin janë shënuar me dhjetëra fshatra e qendërbanime të braktisura plotësisht e toka buke të bëra djerrina, që gjendeshin në rajonet pranë qendrave ushtarako-administrative, si Gjirokastra, Kanina, Berati, Kruja etj.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shfaqej në forma të ndryshme. Shumë familje përpiqeshin t`u shmangeshin regjistrimeve kadastrale që administrata osmane ndërmerrte herë pas here. Gjatë regjistrimeve ato largoheshin përkohësisht nga vendbanimet e tyre e fshiheshin. Spahinjtë, nga ana e tyre, përpiqeshin t`i zbulonin familjet e fshatrat e fshehura dhe të vilnin prej tyre rentën. Në regjistrin kadastral të vitit 835 h. (1431-1432) gjenden mjaft shënime për zbulimin e familjeve, e deri të fshatrave të tëra, që ishin fshehur e kishin mbetur të paregjistruara. Kështu, p.sh., në krahinën e Korçës e të Përmetit vetëm dy spahinj (Sunkurxhe Beu dhe Abdullahu Beu) kishin zbuluar dhe regjistruar për herë të parë 212 familje.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shpërthente edhe në forma më të ashpra. Masa të tëra fshatarësh nuk pranonin të shkonin para komisioneve të regjistrimit dhe me armë në dorë i kundërshtonin ato, duke krijuar situata të rrezikshme për jetën e personave që duhej të shkelnin nëpër fshatra për të kryer regjistrimin e banorëve e të tokave. Përballë një qëndrimi të tillë, në shumë raste zyrtarët e kryenin regjistrimin formalisht e në kundërshtim me ligjet e tyre, pa shkuar në fshatrat përkatëse. Kështu p.sh. gjatë regjistrimit të lartpërmendur, për një numër të madh fshatrash të krahinave të Këlcyrës, të Kurveleshit etj. ai u bë formalisht, sipas të dhënave që ishin shënuar në regjistrat e mëparshëm. Kurse shumica e fshatrave, që gjendeshin në krahinat ndërmjet lumenjve Shkumbin dhe Erzen, u regjistruan sipas deklarimit gojor të spahinjve të tyre. Me dhjetëra e dhjetëra fshatra të tjera nëpër krahina të ndryshme nuk iu dhanë menjëherë spahinjve, por u shënuan nëpër regjistra si mevkuf (të bllokuar) për t`ua shpërndarë atyre më vonë. Numri i familjeve të fshehura arrinte në qindra.
Sanxhakbejlerët dhe funksionarët e tjerë osmanë përdorën gjerësisht e vazhdimisht forcat e tyre ushtarake për të zbatuar sistemin e timarit. Ata ndërmerrnin sulme të herëpashershme mbi fshatrat e pabindura dhe i shndërronin ato në gërmadha. Dhunës së tyre shqiptarët iu përgjigjën me luftë të armatosur, duke vepruar në bazë fshati, madje edhe banorët e disa fshatrave bashkëvepronin kundër pushtuesve. Në regjistrin e vitit 835 h. (1431-1432) ka shënime që cilësojnë fshatra apo timare të formuara me disa fshatra si "çerdhe qafirësh", "të hedhur në revoltë" etj. Për fshatin Luzat të Kurveleshit është vënë shënimi se "është fshat tradhtar, tre-katër herë dërguan njerëz, por nuk u kthyen".
Objekt i luftës së fshatarësisë u bënë edhe feudalët spahinj. Shënimet e regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) përmendin mjaft raste të vrasjes së spahinjve dhe të zhdukjes së tyre pa lënë gjurmë. Në rrethana të tilla shumë spahinj osmanë i braktisën timaret. Rrjedhimisht pushteti osman detyrohej t`i zëvendësonte spahinjtë me persona të tjerë. Kështu p.sh. në vilajetin e Pavël Kurtikut, të Çartallozit, të Tomoricës, të Këlcyrës etj., gjatë regjistrimit të vitit 835 h. (1431-1432), asnjë timar nuk ishte më nën zotërimin e spahinjve me origjinë të huaj, që kishin qenë gjatë regjistrimit të mëparshëm.
Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429-1430)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor : Kuvendi i Arbërit
Pushtimi osman i vendit dëmtoi rëndë interesat e të gjitha shtresave shoqërore, duke përfshirë edhe elitën drejtuese shqiptare. Një pjesë e fisnikëve të Shqipërisë së Poshtme, që i humbën plotësisht pronat e tyre, emigruan nga Shqipëria. Të tjerë në viset e Shqipërisë Qendrore e të Epërme, si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Dukagjinët, Zahariajt, Spanët etj. u përpoqën të shmangnin rrënimin e plotë të tyre, duke u dhënë garanci, tribute e pengje osmanëve, si dhe duke forcuar lidhjet me Venedikun dhe vendet e tjera me prirje antiosmane. Sulmet e ushtrive osmane mbi zotërimet e fisnikëve shqiptarë nxiteshin edhe nga vjehrri i mëvonshëm dhe vasali besnik i sulltan Muratit II, që ishte sundimtari i Despotatit të Rashës, Gjergj Brankoviçi, i cili ishte në luftë me fisnikët shqiptarë jo vetëm në rajonin bregdetar të Shqipërisë së Epërme. Nën trysninë edhe të fisnikëve shqiptarë, Gj. Brankoviçi u detyrua në vitin 1428 të zhvendoste kryeqytetin në veri të Despotatit të tij, në Smederevë, në brigjet e lumit Danub.
Kur presioni i pandërprerë osman përshkallëzohej aq shumë mbi fisnikët shqiptarë, sa që rrezikonte tërësisht ekzistencën e tyre, ata nuk ngurronin të rrëmbenin armët. Pakënaqësia e shtresave të gjera shoqërore ndaj pushtimit osman u kishte krijuar fisnikëve shqiptarë mundësi të reja e të panjohura më parë për krijimin e ushtrive të mëdha e pa pagesë, të karakterizuara nga një shpirt i lartë vetëmohimi, që nuk njihet në kushtet e luftërave të zakonshme feudale dhe tek ushtritë mercenare. Kryengritja e parë në shkallë krahinore, që njihet deri tani, i përket kohës së sulltan Mehmetit I dhe duhet të jetë zhvilluar gjatë viteve 1419-1421. Burimet historike, që e përmendin atë, nuk japin hollësi për zhvillimin e saj, veçse tregojnë që banorët e krahinës së Vagenetisë (Çamërisë) u hodhën në kryengritje.
Në fund të viteve 20 të shek. XV dy ngjarje të rëndësishme ndikuan në jetën politike të fisnikëve shqiptarë: fuqizimi në drejtimin e pashasanxhakut të Shkupit i familjes së Evrenozëve (veçanërisht dy përfaqësues të saj Isak Beu dhe, pas vdekjes së tij, i biri, Isa Beu, arritën të fuqizoheshin shumë ekonomikisht duke shfytëzuar zgjerimin e pushtimeve osmane në Ballkan) dhe sidomos lufta e ushtrive osmane për pushtimin e qytetit të Selanikut, që në vitin 1423 kishte kaluar nën zotërimin e Venedikut. Konfliktin e armatosur ndërmjet sulltan Muratit II dhe Republikës së Venedikut për qytetin e Selanikut, që zgjati afro tre vjet (1428-1430), disa prej fisnikëve shqiptarë e panë si një mundësi për shtrirjen e pushtetit të tyre mbi viset që ishin nën zotërimet veneciane dhe osmane. Kurse për Venedikun dhe sidomos për pushtuesit osmanë lufta e mësipërme i vinte në provë fisnikët shqiptarët nëse do të përmbushnin apo jo angazhimet ushtarake që kishin ndaj tyre.
Qysh në gusht të vitit 1428 njoftohej se Gjon Kastrioti ishte nën presionin e pandërprerë të sulltanit që të sulmonte zotërimet veneciane dhe se një djalë i tij, që ishte "bërë turk e mysliman", i mbante trupat ushtarake pranë rajonit venecian të Shkodrës. Kurse Stefan Spani, Kojë Zaharia dhe Stefan Maramonti, sipas dokumenteve të fillimit të vitit 1430, kishin ndërmarrë aksione të pasuksesshme kundër zotërimeve të Venedikut në rajonin e Shkodrës. Ndërkohë Gojçin Gjurashi (Cërnojeviçi) kishte çliruar zotërimet e tij në Gentë, duke dëbuar prej tyre forcat e despotit serb të Rashës, Gjergj Brankoviçit, djalë i Vukut.
Edhe marrëdhëniet e fisnikëve shqiptarë me osmanët acarohen shumë dhe pozitat e pushtetit osman në tokat shqiptare qenë dobësuar, ndonëse mungojnë të dhënat burimore për aksionet antiosmane të shqiptarëve. Nëpërmjet tyre tërthorazi del se ushtria e Gjon Kastrioti ka rrethuar Krujën dhe është përpjekur ta pushtojë atë, kështjellë që nuk është marrë ndonjëherë me forcën e armëve. Sidoqoftë, pushteti osman në tokat e Shqipërisë Perëndimore ishte tronditur thellësisht. Prandaj, pa pritur nënshkrimin e traktatit të paqes më Venedikun (4 shtator 1430), por sapo pushtuan Selanikun (29 mars 1430), ushtritë osmane të komanduara nga Isak Evrenozi dhe me pjesëmarrjen e trupave serbe, të komanduara nga djali i Gjergj Brankoviçit, iu drejtuan shtetit të Gjon Kastriotit. Sulmi i tyre qe i papërballueshëm. Gjatë muajve prill-maj 1430 ushtritë osmane shkatërruan disa kështjella të Gjon Kastriotit dhe arritën në Prishtinë. Prej këtu morën rrugën në drejtim të Gentës dhe në fund të muajit qershor, pasi thyen qëndresën e Gojçin Gjurashit, zbritën deri në rrethinat e Shkodrës, duke plaçkitur vendin, dhe morën Dejën. Përballë një situate të tillë Gjoni kërkoi marrëveshje me Isak Beun. Edhe me ndërhyrjen e Skënderbeut dhe të Stanishtës pranë autoriteteve osmane, u rimëkëmb shpejt shteti i Kastriotëve. Gjatë gjysmës së parë të viteve 30 sërish ai u bë kufitar me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës, siguroi dalje në det dhe kishte nën kontrollin e vet rrugët tregtare që lidhnin bregdetin me Prishtinën dhe Shkupin.
Gjon Kastrioti vdiq në fillim të muajit maj të vitit 1437 (2 ose 4 maj). Emri i tij do të përmendet edhe në dy dokumente të mëvonshme (mars 1438 dhe korrik 1439) në kuadrin e përpjekjeve të Stanishës e të Skënderbeut, si drejtues të rinj të shtetit të Kastriotëve, për të vijuar me Venedikun dhe me Raguzën po ato marrëdhënie që kishte pasur i ati i tyre, Gjon Kastrioti.
Fitoret e Gjergj Arianitit (1432-1435) dhe zgjerimi i luftës antiosmane
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Regjistrimi kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432) u shoqërua me dhunë të ashpër të forcave pushtuese. Dokumente të kohës tregojnë se gjatë verës së vitit 1432 shqiptarët masivisht emigruan në drejtim të Puljes e të Venedikut. Pakënaqësia e përgjithshme nga regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), nxitja e revoltës së tyre nga Selia e Shenjtë dhe oborri hungarez, si dhe lajmi i pasaktë për vdekjen e sulltan Muratit II bënë që shqiptarët të hidheshin në luftë kundër pushtuesve osmanë.
Në ballë të kësaj vale të re e të fuqishme kryengritjesh u vu Gjergj Arianiti. Shqiptarët, të udhëhequr prej tij, i dëbuan spahinjtë osmanë prej një pjese të konsiderueshme të zotërimeve të Arianitëve. Qysh në fund të viteve 20, gjatë luftës veneto-osmane për zotërimin e Selanikut, kufijtë lindorë të shtetit të Gj. Arianitit duhet të jenë shtrirë në atë kohë deri në Manastir. Ndërkohë kryengritje shpërthyen edhe në krahina të tjera të vendit dhe i paralizuan forcat osmane që ishin në tokat shqiptare. Ato ndodheshin përballë asgjësimit të plotë, prandaj sulltan Murati II vendosi të merrej vetë me shtypjen e kryengritjeve shqiptare.
Gjatë dimrit të vitit 1432-1433 sulltani u vendos në Serez. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane dhe, duke ndjekur rrugën Egnatia, do të marshonin e do të sulmonin forcat e Gjergj Arianitit për ta nënshtruar atë. Në Serez sulltani organizoi një ushtri prej 10 mijë vetash dhe në krye të tyre vuri sanxhakbeun e Sanxhakut Shqiptar, Ali bej Evrenozin. Ushtria osmane hyri në thellësi të shtetit të Gj. Arianitit dhe arriti në luginën e Shkumbinit pa u ndeshur me luftëtarët shqiptarë. Por, kur përparuan në thellësi të luginës, forcat e Gj. Arianitit u shfaqën befasisht dhe menjëherë e sulmuan ushtrinë osmane pranë burimeve të Bushekut. Shumë ushtarë osmanë u vranë ose ranë robër në duart e shqiptarëve, ndërsa të tjerët, bashkë me komandantin e tyre Ali bej Evrenozin, morën arratinë. Kjo ishte fitorja e parë e rëndësishme e shqiptarëve kundër ushtrive të fuqishme osmane. Ajo pati jehonë edhe në vendet e tjera dhe i dha hov luftës antiosmane në Shqipëri. Fitorja, siç ka shkruar një bashkëkohës i saj, kronisti bizantin Halkokondili, i solli "lavdi të shkëlqyer" Gjergj Arianitit, që u bë personazhi kryesor i jetës politike shqiptare të viteve 30.
Vala e kryengritjeve antiosmane u përhap edhe në rajonet e Shqipërisë së Poshtme, edhe pse pozitat e osmanëve ishin fuqizuar atje me pushtimin prej tyre, në tetor të vitit 1430, të kryeqendrës së atyre viseve, të Janinës. Kryengritësit thirrën nga emigrimi në Korfuz dhe e vendosën në krye të tyre Depë Zenebishin, djalin e ish-sundimtarit të vdekur të tyre. Pas kthimit të D. Zenebishit kryengritësit rrethuan dhe sulmuan kryeqendrën administrative të Sanxhakut Shqiptar, Gjirokastrën. Për dëmtimin e mureve të kështjellës dhe çlirimin e saj, sulmuesit përdorën makina gurëhedhëse. Ndërkohë kryengritësit i shtrinë veprimet e tyre edhe në krahinat fqinjë dhe arritën të pushtonin kështjellën e Këlcyrës. Kjo situatë i alarmoi osmanët. Prandaj, në kushtet e vështira të dimrit, u organizua një ushtri e re osmane e komanduar nga Turhan Beu. Në fillim të vitit 1433, duke marshuar me shpejtësi nëpër dëborë, ushtria e Turhan Beut në bashkëpunim me garnizonin osman të Gjirokastrës i sulmuan befasisht rrethuesit e kështjellës. Shqiptarët, të vënë ndërmjet dy zjarreve, nuk e përballuan dot goditjen dhe me humbje të rënda u tërhoqën nga rrethimi i Gjirokastrës. Osmanët e zunë rob Depë Zenebishin dhe e varën.
Valët e kryengritjeve antiosmane u përhapën edhe në rajone të tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme, Nikollë Dukagjini mori në duart e tij kështjellën e Dejës. Por këtë kështjellë Nikollë Dukagjini e mbajti për pak kohë dhe ajo kaloi sërish në duart e osmanëve. Në Shqipërinë Qendrore kryengritësit e udhëhequr nga Andre Topia sulmuan kështjellën e Krujës, por nuk e morën dot. Edhe në zonën e Vlorës dokumentet e kohës tregojnë se në vitin 1434 krerët e vendit donin që "turqve t`ua hiqnin nga duart kështjellën e Kaninës".
Gjatë viteve 30 të shek. XV zotërimet e Gjergj Arianitit mbetën rajoni kryesor i luftës antiosmane, prandaj sulltan Murati II, gjatë verës së vitit 1434, u vendos në Manastir. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane të Rumelisë dhe nën komandën e bejlerbeut të tyre, Sinan Pashës, në fillim të gushtit 1434 sulmuan zotërimet e Arianitëve. Pasi hynë në thellësi të tyre, trupat osmane u rrethuan dhe u goditën rreptë nga luftëtarët shqiptarë. Në këtë betejë, shkruante ato ditë Senati i Raguzës, shqiptarët "dolën fitues në fushën e nderit dhe shumë turq u vranë". Pas fitores së shkëlqyer të shqiptarëve në gusht të vitit 1434, u ngarkuan Isak bej Evrenozi dhe sanxhakbejlerët e rajoneve kufitare që të vazhdonin luftën për shkatërrimin e forcave të Gj. Arianitit. Në dhjetor të vitit 1434 ushtria e Isak Beut iu drejtua zotërimeve të Arianitëve. Shqiptarët i dolën përpara ushtrisë osmane dhe zhvilluan me të një betejë të rreptë, që përfundoi me një fitore të shkëlqyer të tyre. Për këtë betejë Senati i Raguzës do të shkruante ato ditë: "Isaku vetëm me një numër shumë të vogël ushtarësh mundi të shpëtojë. Nga ushtria e tij shumë turq, nga më kryesorët e të rëndësishmit, u vranë në luftë e mbetën robër. Që prej asaj dite turqit mbetën të tmerruar, duke mos pasur guxim kundër arbërve". Luftimet ndërmjet shqiptarëve dhe forcave osmane vazhduan edhe në vitin 1435. Më 20 prill të këtij viti luftëtarët e Gj. Arianitit u ndeshën rreptë me një ushtri osmane, duke e shpartalluar atë dhe, siç shkruhej ato ditë, "e mbajtën fushën e betejës si ngadhënjyes".
Pas disfatave të njëpasnjëshme, që pësuan trupat osmane prej luftëtarëve të Gj. Arianitit, sulltan Murati II ndërpreu dërgimin e ushtrive të tjera kundër shtetit të Arianitëve dhe gjatë viteve 1435 -1437 i angazhoi forcat e veta në Anadoll kundër emirit Ibrahim të Karamanisë. Përkohësisht në Shqipëri u krijua një gjendje e tillë që, siç shkruhej në fund të vitit 1435, "turqit e arbërit po qëndrojnë të qetë në kufijtë e tyre pa ndonjë trazim ose përleshje". Kryengritjet e viteve 30 të shek. XV dhe fitoret e forcave të Gj. Arianitit patën jehonë të madhe si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të ndryshme të Evropës. Përpara bashkëkohësve të huaj shqiptarët dolën si një nga popujt më aktivë në luftën kundër pushtuesve osmanë. Rëndësia e luftës së tyre i kalonte kufijtë e botës shqiptare dhe me kohë tërhoqi vëmendjen e shteteve evropiane, interesat e të cilëve lidheshin me ngjarjet e Ballkanit. Gj. Arianiti u bë personalitet i njohur evropian, sepse fitoret e tij erdhën në një kohë kur Evropa ishte mësuar të dëgjonte për disfatat që pësonin forcat antiosmane. Për këto fitore atë e përgëzuan personalitetet më të shquara të kohës, si papa Eugjeni IV dhe perandori gjerman Sigismund, që ishte njëkohësisht edhe mbret i Hungarisë. Këta i dhanë luftës së shqiptarëve një përkrahje të gjerë morale. Lufta e shqiptarëve përkonte me interesat e Hungarisë, që gjendej përballë sulmeve të ushtrisë osmane. Drejtuesit e kryengritjeve shqiptare si Gjergj Arianiti e Andre Topia krijuan lidhje të ndërsjella me mbretin e Hungarisë, Sigismundin, dhe dërguan përfaqësuesit e tyre te njëri-tjetri. Ata projektuan që, duke u mbështetur në viset e çliruara të Shqipërisë, të organizonin një kryengritje të përgjithshme antiosmane në Ballkan. Për këtë qëllim, në pranverë të vitit 1435, mbreti i Hungarisë dërgoi në Shqipëri Fruzhinin, pasardhës i mbretit bullgar Shishman, dhe në pranverë të vitit 1436 princin Daut, pretendent i fronit osman i strehuar në oborrin hungarez, me synimin që kundërshtarët politikë të sulltan Muratit II të ngriheshin kundër tij dhe ta rrëzonin nga froni. Me gjithë këto përpjekje nuk u arrit të organizohej një aksion i përbashkët ballkanik.
Jehona e luftës antiosmane të shqiptarëve u ndie edhe në vendet e tjera evropiane. Situatën e trazuar politike të viteve 30 në Shqipëri, Republika e Venedikut u përpoq ta shfrytëzonte për interesat e veta. Ajo arriti t`u merrte shqiptarëve Dejën dhe më pas, nën presionin e osmanëve, ua dorëzoi këtyre. Ndërkohë Venediku udhëzonte qeveritarët e saj në tokat shqiptare që të respektonin traktatet e paqes me sulltanin, të mos i ndihmonin kryengritësit shqiptarë, të lejonin kalimin e qëndrimin e trupave osmane në zotërimet veneciane etj.
Gjendja politike në Shqipëri pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë viteve 30 të shek. XV shqiptarët për herë të parë i thyen ushtritë osmane në disa beteja. Me gjithë këto fitore, lufta e tyre nuk dha përfundimet e dëshiruara, sepse mungoi bashkimi i të gjitha forcave shqiptare, mungoi bashkërendimi efikas i veprimtarisë ushtarake të tyre dhe aksionet luftarake në rajonet kryengritëse u zhvilluan të veçuara, prandaj përgjithësisht qenë të pasuksesshme. Kjo situatë e përgjithshme ndikoi negativisht edhe në shtetin e Gj. Arianitit, duke i bërë të paqëndrueshme rezultatet e fitoreve ushtarake të tij.
Situata politike në Shqipëri mbeti shpërthyese edhe gjatë gjysmës së dytë të viteve 30 të shek. XV, kur luftimet kishin pushuar. Në viset e Gjirokastrës e të Vlorës si dhe në zonat pranë qendrave ushtarake të pushtuara etj., qëndresa antiosmane vazhdoi në forma të tjera. Për të vendosur në to plotësisht pushtetin e vet, sulltan Murati II iu drejtua për ndihmë Venedikut. Kështu, në tetor të vitit 1436, një përfaqësues i sulltanit i kërkoi Republikës së Venedikut të ndëshkonte ata shqiptarë që, nga zotërimet e saj të Shkodrës, Pargës etj., sulmonin forcat osmane, si dhe të mos lejohej në to strehimi i dezertorëve të ushtrisë osmane.
Gjendja e rëndë politike në Shqipëri për pushtuesit osmanë dhe pamundësia e tyre për të dërguar aty vazhdimisht ushtri të mëdha, ndërkohë që kishte fronte të tjera lufte edhe në rajone të tjera kufitare me Perandorinë Osmane, e detyruan sulltan Muratin II të ndryshonte përkohësisht qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ai ndërpreu sulmet ushtarake mbi zotërimet e Arianitëve e të viseve të tjera shqiptare dhe i largoi forcat osmane nga zonat, ku pozitat e tyre ishin shumë të dobëta. Osmanët i braktisën krahinat në veri të lumit Mat dhe kështjellën e Dejës ia dhanë Lekë Zaharisë. Me aktivizimin energjik të djemve të Gjon Kastriotit, Stanishës e Skënderbeut, që ishin funksionarë osmanë, shteti i Kastriotëve u rimëkëmb shpejt, siguroi përsëri dalje në det, duke rimarrë skelën e Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat, si dhe kontrollin e rrugëve për në Prishtinë dhe në Shkup. Zotërimet e tij u bënë kufitare në perëndim me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës. Edhe në rajone të tjera të brendshme e larg qendrave osmane, si në krahinat malore e fushore që shtriheshin ndërmjet lumenjve Devoll-Seman dhe Erzen u rivendosën pozitat e zotërve vendas, ndonjë prej të cilëve i mori zotërimet e veta në formën e timareve. Për të ruajtur në viset shqiptare pushtetin e tronditur osman, sulltan Murati II u përpoq të mbështetej te ata fisnikë vendas që ishin të lidhur me administratën vendore osmane. Krahas Evrenozëve, që vazhduan të ishin në krye të pashasanxhakut të Shkupit, gjatë viteve 1437-1438 sulltani emëroi sanxhakbe të Sanxhakut Shqiptar të birin e Teodor Muzakës, Jakup Beun, dhe subash të Krujës Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kurse qysh në verën e vitit 1434 ishte emëruar në postin e dizdarit të Krujës Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit me titullin pashë, titull që realisht nuk e ka pasur asnjëherë. Gjatë qeverisjes së Sanxhakut Shqiptar prej Jakup Beut dhe të vilajetit të Krujës prej Skënderbeut, sipas rekomandimeve të tyre u bënë shumë ndryshime në shpërndarjen e timareve e të fshatrave në të mirë të elementit shqiptar, duke shprehur kështu vijimin e lidhjeve familjare që ata mbanin me elitën drejtuese shqiptare. Sa kohë që Skënderbeu qëndroi në postin e subashit të vilajetit të Krujës edhe këto vise mund të konsiderohen si pjesë e shtetit të Kastriotëve. Por Jakup bej Muzaka dhe Skënderbeu nuk i mbajtën gjatë pozitat drejtuese në Sanxhakun Shqiptar.
Në fund të vitit 1438 qenë të pasuksesshme aksionet e trupave osmane kundër ushtrisë hungareze në Transilvani. Më pas veprimet luftarake osmane u shtrinë pranë viseve shqiptare, në Rashë e në Bosnjë. Në vitin 1439 ata pushtuan kryeqytetin e Despotatit të Rashës, Smederevën, dhe e nënshtruan atë.
Ndërkohë sulltan Murati II largoi Skënderbeun dhe Jakup Beun nga funksionet e larta drejtuese që kishin në Sanxhakun Shqiptar dhe i ngarkoi me funksionet e larta të sanxhkbejlerëve në rajone të tjera më pak shpërthyese, me sa duket larg viseve shqiptare. Në vend të tyre për drejtimin e Sanxhakut Shqiptar u emëruan persona të huaj, që ishin më të besueshëm. Këta bënë ndryshime të shumta nëpër timaret e Sanxhakut Shqiptar, duke favorizuar elementin e huaj. Pas një rrethimi të gjatë njëvjeçar, në qershor të vitit 1441, osmanët pushtuan Novobërdën, qendra më e rëndësishme e prodhimit të arit e të argjendit në Ballkan, të cilin nuk arritën ta mbanin në duar për një kohë të gjatë.
Pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV jeta politike në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të tillë që çoi në forcimin shkallë-shkallë të pozitave të pushtuesve osmanë në dëm të shqiptarëve, gjë që rriti pakënaqësinë e tyre. Elita drejtuese shqiptare u vu në pritje të rrethanave më të favorshme për të rifilluar luftën kundër pushtuesve osmanë, siç do të ndodhte në nëntor të vitit 1443 në Shqipëri, kur në krye të saj u vu Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.