Berati
Berati | |
---|---|
Popullsia | 100.000 |
{{{postal_code_type}}} | 5001-5006 |
Faqja zyrtare | Bashkia e Beratit |
Berati (quajtur ndryshe dhe si qyteti i një mbi një dritareve) është qyteti i nëntë për nga popullsia në Republikën e Shqipërisë me një popullsi prej 60,031 (2011 census). Qyteti është qendra e Qarkut të Beratit. Gjendet në jugun e vendit, 70 km në vijë ajrore në jug të Tiranës, përshkohet nga lumi i Osumit dhe rrethohet nga kodra dhe male, ku spikat Tomorri, i njohur si park kombëtar.
Emri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emri i qytetit ndonëse omonim me natën e Beratit, ndoshta vjen nga zbutja e emrit në sllavisht serbisht Belgrad - Beogradi. Dokumentet zyrtare osmane deri në shek. XV-XVI e quanin der medine-i Beligrad.[1]
Sipas udhëpërshkruesit britanik William Martin Leake, bazuar mbi përshkrimet e Tit Livit, njësoi Beratin me Antipatrean antike. Sipas historianit të antikitetit Sozomenos, Antipatrea njihej ndryshe edhe Veritos. Sipas ndarjeve baritore të Krishtërimit të hershëm, prej fillimit të shek. VI qyteti si qendër ipeshkvie njihej Pulcheriopolis, emër i cili u përdor deri në shek. XII.[2]
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë, më e madhja e Shqipërisë. Rrethi i Beratit shtrihet në Krahinën Malore Qendrore e pjesërisht në Ultësirën Jugperëndimore të Shqipërisë, në koordinatat: gjerësi gjeografike: Veri 40 gradë 52'24”; Jug 40 gradë 29'30” (qyteti 40 gradë 41'06”); gjatësi gjeografike: Lindje 20 gradë 10'51”; Perëndim 19 gradë 44'30” (qyteti 19 gradë 56'40”). Rrethi mbulon një sipërfaqe prej 953,6 km katror (qyteti 1,6 km katror).
Relievi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455m (qyteti 58 m). Fushat shtrihen në krahun veri-perëndimor të rrethit, në luginën e Osumit, derisa ajo bashkohet me fushën e Myzeqesë. Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorit (Lindje, 2417m) dhe ai i Shpiragut (Perëndim, 1218m) si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës. Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.
Lumenjtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lumi i Osumit rrjedh përmes qytetit dhe jashtë tij, afër Urës Vajgurore, bashkohet me lumin e Devollit; të dy sëbashku formojnë Semanin (gjatësia e tij brenda rrethit 32km). Një nga lumenjtë kryesorë të vendit. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjitikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën. Sipas treguesve hidrologjikë, për nga gjatësia rradhitet i 8-ti, për nga baseni ujëmbledhës i 10-ti, për nga prurja mesatare vjetore i 11-ti dhe për nga lartësia mesatare e rrjedhjes i 4-ti. Krijon rrjedhën e tij të plotë pranë Vithkuqit, vend që merret si pika e fillimit të lumit. Në basenin e Osumit veshja bimore (698 km katror) përbëhet nga pisha, bredhi, dushku e shkurre të tjera mesdhetare. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150m e 15-20m të gjera. Osumi transporton në Seman 995 milionë metra kub ujë në vit, me prurje mesatare 32,5m kub sek (në Berat 25-26,9m kub sek). Sasia vjetore e prurjes së ngurtë 1,356 milionë m kub. Gjatësia e Osumit brenda rrethit është 51km.
Klima
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klima e rrethit është tipike mesdhetare, me temperaturë mesatare vjetore 15,9°C. Temperatura mesatare e muajve më të ftohtë është 7,2°C dhe ajo e muajve më të nxehtë 28,2°C. Temperatura absolute më e ulët ka qenë –12,2°C dhe ajo maksimale 47,1°C.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P. Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P. Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P. Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kassandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P. Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Βουλγερολις (qyteti bullgar, sllv. Belgrad) në shekullin e X[3].
Muzakajt
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj. Në shek. XVIII Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Ali Pashë Tepelena e bashkoi atë me pashallëkun e tij të Janinës dhe përforcoi muret e kështjellës. Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë. Tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat agjencinë e tyre tregtare.Berati vjen nga iliret bir ate qe simbas legjendave filluan ndertimin e kalase per tu mbrojtur nga sulmusit.
Pas tërmetit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Berati mori pamjen e sotme në shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, pas tërmetit të vitit 1851. Në fund të viteve 30 të shek. XIX Berati kishte 8000 banorë dhe si të gjithë qytetet e tjerë ruante karakterin e ekonomisë së vogël zejtare. Tashmë ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, por ende të paçliruara nga normat tradicionale esnafore. Nga mesi i shek. XIX Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin korrespondentë ose agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë. Ekzistonin punishte me 5 deri 10 krahë pune dhe disa fabrika të vogla mielli e vaji. Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut.
Deri në mes të shek. XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Tregu kishte 4 qendra kryesore: të opingarëve, të mestexhijve, të tabakëve dhe të kazanxhijve. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive.
Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin. Deri në gjysmën e dytë të shek. XX vazhdonin të ekzistonin rrugët e: kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, kazazëve (qëndistarë), argjendarëve, armëtarëve, opingarëve, kujinxhinjve, samarxhinjve, etj.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qytet muze
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë.
Kështjella
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.
Ura e Goricës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3m e gjatë, 5,3m e gjerë, ngrihet 10m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7m.
Ndërtesat e kultit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Disa kapitale dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, Xhamia e Hysen Pashës, Xhamia e mbretit, Xhamia e Telelkave, Xhamia e Kuqe Xhamia e Bardhë etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.
Arti dhe zejet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.
Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus O) i shekullit VI, i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër/gjashtë kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishen e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Në malin e Tomorit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 ha është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit.
Politika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Zgjedhjet partiake në Berat
Aktualisht në Berat ndodhet në pushtet Levizja Socialiste që nga viti 2015.
Ndarja Administrative
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rrethi Berat është i perbere prej 2 bashki e 10 komuna.
Kryetarë të Bashkisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Iljaz bej Vrioni - 1919, 1921
- Yzedin Vrioni - 1922, 1924, 1925–1928, 1935, 1937
- Seit Vrioni - 1922, 1923
- Xhevdet Mehqemeja – 1924
- Dhimitër Tutulani – 1925
- Neki Starova - 1926, 1929, 1930, 1932
- Abdyl Dilaveri – 1933-1934
- Tef Naraçi – 1935
- Zenel Prodani - 1937, 1939, 1943, 1944
- Ylli Ruli - 1992-1996
- Milika Jaho - 1996 – 2000
- Nikollaq Mata – 2000-2003
- Fadil Nasufi - 2003-2015
- Petrit Sinaj - 2015-2019
- Ervin Demo-Qershor 2019 vazhdim
Turizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas tronditjes që pësoi reputacioni i qytetit në vitin 1997, ka një rivendosje të imazhit të mirë, sidomos këto dy-tre vitet e fundit, kur janë shtuar ndjeshëm flukset e vizitorëve nga vendi, nga Kosova e të huaj. Vërehet një riaktivizim i traditave më të mira të qytetit kundrejt vizitorëve. Tradicionalisht në Berat vizitori ka gjetur mikpritje të veçantë, përjetimin e një ambienti të këndshëm e shlodhës, rastin që të shijojë një kuzhinë karakteristike tradicionale të kombinuar me atë moderne, ku përfshihen ullinjtë e famshëm, mishi i qengjit dhe ai i gjelit të detit dhe verërat e prodhuara nga vreshtat rreth qytetit.
Degë më e zhvilluar e turizmit deri më tani ka qenë punime të artizanatit. Artizanati, për qytetin është një vlerë e trashëguar e cila mirëmbahet edhe sot në Berat në disa gjini, si: gdhendje ne dru qendistari, punime ne argjend dhe ne metale te tjera, punime ne kashte, gdhendje ne pllaka guri, punime dekorative me gur.
Vitet e fundit ka një rigjallërim të ketyre mjeshtërive. Vizitori mund të gjejë në disa dyqane gdhendje me pamje karakteristike të Beratit. Punimet e disa prej mjeshtrave të Beratit janë shpërndarë edhe jashtë vendit.[4] Në vitin 1901, Berati ishte qendër sanxhaku e varur nga vilajeti i Janinës.[5]
Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të Beratit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familiar dhe ai i organizuar. Në disa zona të rrethit (Tomor) mund të zhvillohet turizmi malor me shumë aspekte brenda tij, si edhe gjuetia.
Tashmë vërehet se komuniteti është ndërgjegjësuar në shkallë të ndjeshme për këto vlera, por akoma nuk janë gjetur rrugët adekuate për futjen e shpejtë në eficiencë të këtyre burimeve. Ka shumë për të bërë në drejtim të restaurimit e ruajtjes së vlerave të trashëguara, në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme urbane dhe në promovimin turistik të zonës.
Në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë të UNESCO-s të zhvilluar në Kanada më 8 korrik 2008, Berati u regjistrua si sajt i trashëgimisë botërore, nën kriteret iii dhe iv.
Transporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Berati ndodhet 120km larg kryeqytetit – Tiranë, 92km larg Durrësit dhe 85km larg Vlorës. Pozicioni gjeografik është shumë i favorshëm për transportin e tranzitin si edhe për komunikimin ekonomiko-shoqëror me shumë rrethe të vendit. Berati me anë të largësive 40-50km komunikon direkt me 6 rrethe të vendit: Lushnje (37km), Fier (47km), Memaliaj (41km), Këlcyrë (50 km), Çorovodë (50km), Kuçovë (16km) – Elbasan (4km). I vetmi qytet që i afrohet Beratit për nga shkalla e komunikimit me të gjithë perimetrin e tij është Elbasani, i cili komunikon direkt me 5 rrethe. Nga analiza të tilla del se Berati është potencialisht qendra më e madhe e kryqëzimit të rrugëve dhe kalimeve në territorin e vendit. Në Berat mund të kryhet tranziti më i shkurtër të paktën për ¾ e vendit, për gjithë aktivitetin që vjen nga Jugu dhe shkon për në Lindje e për në Veri (përmes kryeqytetit).
Berati është ngritur në një pozicion gjeografik të mrekullueshëm klimaterik, me aftësi komunikimi, tranziti, prodhimi e përpunimi që rrallë i ka ndonjë qytet tjetër. Aktualisht Berati ka vetëm një dalje me rrugë kombëtare, atë që e lidh me Lushnjen e që prej aty degëzohet për Fier-Vlorë e Durrës-Tiranë. Lidhjet e tjera janë me rrugë dytësore, me parametra teknikë të ulët e të pamirëmbajtura. Ndërtimi i segmenteve të tjerë rrugorë, sipas studimeve të ndryshme, do të përmirësonte komunikimet me zona të tjera, duke hapur mundësi për një zhvillim më të shpejtë dhe intensiv të Beratit. Rrjeti rrugor brenda rrethit ka 180km, nga të cilat 65km rrugë të asfaltuara, 18km rrugë nacionale dhe 113km rrugë rurale. Rrethi kategorizohet ndër ata me 26-50 mjete të transportit rrugor për 1000 persona.
Kulinaria beratase
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krahas bukurisë së qytetit është kulinaria, shija e mirë, ajo që i lezeton të gjitha. Në fakt Beratit nuk i mungon kuzhina e mirë. Një recetë e shijshme është “Pula me Rosnica”, që bëhet me thërrime brumi e me pulë fshati; kemi përsheshin me mish gjeldeti në muajt nëntor dhjetor dhe me mish qengji a keci në muajt e tjerë”. E veçanta nuk qëndron te receta e përsheshit, pasi gjithë jugu e gatuan këtë specialitet, por mënyra sesi e gatuajnë beratasit e bën unike këtë recetë. Përpara se ta njomin me lëngun e mishit, ata e skuqin kulaçin e thërrmuar në gjalpë dhe më pas shtojnë lëngun e mishit dhe erëzat që kërkon receta, dhe në fund pjata ka një shije të papërsëritshme. “Ndërsa sheshqeku është një recetë shumë e vjetër”, “por që ne Berat gatuhet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të kalorive që ka”. Pjata gatuhet me grurë dhe mish dashi. Mishit i dashit ziehet mirë dhe i hiqen kockat. Ndërkohë ziehet gruri dhe më pas bashkohen të dy përbërësit dhe lihen në zjarr derisa nga yndyra, gruri dhe mishi krijojnë një lloj pelteje.
“Një recetë tepër specifike e cila është tepër e shijshme”. Por Berati ka edhe disa receta të tjera specifike. Si për shembull “Anabokshana”, një recetë e përgatitur me mëlçi, oriz dhe erëza. Apo ëmbëlsira unike e që bëhet vetëm në Berat, “Mali i bardhë”, apo siç e pagëzuan turistët, “Mont Blanc”. Nje tjetër ëmbelsirë e vecantë që realizohet me mjeshtëri në Berat është edhe " Likoja". Likoja është një ëmbelsirë tradicionale e punuar artizanalisht ne shtëpi e cila bëhet me disa lloje frutash , agrumesh e perimesh. Si tradicionale njihet likoja e qershisë, portokallit apo edhe ajo e kumbullës , por Berati eksperimenton në shije tashmë dhe lulet behen liko si përshembull petalet e trendafilit , petalet e lules së portokallit , lulja e lojthatës etj . Të gjitha këto receta mund t’i shijoni vetëm në Berat. Askund tjetër. Mjafton të kërkoni pjatat karakteristike dhe ju sigurojmë se shija e tyre do të jetë unike.
Personalitete
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara) - mësues, nënshkrues i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë.
- Ilias Bej Vrioni - nënshkrues i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë.
- Mehmet Ali Vrioni - politikan, nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
- Sami Bej Vrioni - nënshkrues i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë.
- Taq Tutulani - avokat, nënshkrues i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë.
- Kristofor Kisi - Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë nga viti 1937 deri 1948.
- Vexhi Buharaja - orientalist, përkthyes.
- Sotir Kolea - publicist, folklorist, leksikograf.
- Shpendi Sollaku - shkrimtar, poet, përkthyes e veprimtar per mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, lindur në një familje Beratase.
- Dhimiter Berati- (Korçë, 15 tetor 1886 - Romë, 8 shtator 1970) Ka qene nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, politikan dhe diplomat shqiptar. Më 1937 qe drejtues i grupit që nxori librin dyvëllimësh "Shqipnija më 1937", ndërsa vepra e tij me dy volume "Shqipëria" mbeti në dorëshkrim.
- Agim Shuka - aktor shqiptar, nen nga Mangalem Berat.
- Orli Shuka - aktor shqiptar në Angli, djali i Agim Shukës.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Portali i Lajmeve Berati News Arkivuar 25 dhjetor 2014 tek Wayback Machine
- Dhoma e Tregëtisë Berat
- Drejtoria Arsimore
- Turizmi në Berat
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Dizdari, Tahir (2005). "Berát-i" në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. fq. 95.
- ^ Sinani, Shaban (2015). Berat, Beratinus, Buhara. Tiranë: Naimi. fq. 5–6. ISBN 9789928109552.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Shuflaj M., Serbë dhe shqiptarë, përkthyer nga Hasan Çipuri, Tiranë: Toena, 2004, fq. 41. ISBN 99927-1-854-4
- ^ Robert Elsie : nga udhëpërshkrimi (Sejahatnameja) i Evlija Çelebiut
- ^ Sami Frashëri në Kamus al alam
- Gabime CS1: Mungon parametri i gjuhës
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Pages using infobox settlement with no settlement type
- Berat
- Qytete në Shqipëri
- Qytete shqiptare
- Trashëgimi botërore në Shqipëri
- Arkitektura osmane në Shqipëri