Agai
Agai (st. dhe tosk.) dhe ága (geg.) (osm. أغا, pers. آقا "kryetari, mjeshtër, zot") ka qenë titull honorifik për funksionarë të oborrit sulltanor, zyrtarë apo oficerë ushtarakë të Perandorisë Osmane.
Etimologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në gjuhët tartaro-turke ka kuptimin "i madh" dhe fillimisht ka qenë titull i një prijësi të rëndësishëm, të një kryetari. Nga folja agmák, "me u rritë, me u motnue".[1]
Përdorimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Shqipëri përgjithësisht përdorej për pronar tokash të mbarështimit feudal. Në Veri me këtë titull emëroheshin edhe njerëzit esnafë, parí e vendit, e katundit që nuk ishin në rangun e bejlerëve dhe efendilerëve. Në Jug dhe Shqipëri të Mesme me këtë titull mbiquheshin pasanikët e pronarët qytetarë dhe fshatarë. Në rapsoditë e Mujit, ky titull merr më shumë vështrimin e kreshnikut "Tridhet agë fjalë kan çue, / Se q'at nuse e ke me fjalë".[1]
Aga sot përdoret në titull honorifik persian për burrat, e barasvlefshme me "zotëri", termi përkatës për femrat është hanëm, në Shqipëri edhe hâka, hanko. Në Çamëri ageshë-a përdorej si titull sajdije që nusja e re i jepte kunatës së madhe.[1]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Njeriu më i rëndësishëm në hierarkinë ushtarake osmane që e mbante këtë titull ka qenë "agai i jeniçerëve", pastaj atë e morën komandantët e garnizoneve të kështjellave mbretërore dhe komandantët e artilerisë të cilët, zakonisht hynin në strukturat e jeniçerëve (dizdar aga dhe topçi aga). Më vonë aga u titulluan të gjithë komandantët e vullnetarëve (gënyly alayi) dhe të rrogëtarëve (ulufeciyan). Në Perandorinë Osmane këtë titull e merrnin edhe pasardhësit e tyre. Ka pasur në Shqipëri, Bosnjë dhe Kurdistan familje agallarësh që për peshë, soj dhe pasuri ua kalonin ku e ku edhe shumë familjeve bejlere.[2] Në rreth të Pukës, agë ka qenë titull fisnikërie i trashëgueshëm për tri-katër familje (agallarët e Iballes, të Pukës, të Kryeziut), si dhe në disa fise të Kosovës, të Farkës në Tiranë, etj.[1]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Dizdari, Tahir (2005). "Agá-i" në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. fq. 5–6.
- ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 564. ISBN 99927-780-6-7.