Jump to content

Ramiz Kelmendi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ramiz Kelmendi

Ramiz Jakup Kelmendi (Pejë, 20 dhjetor 1930 - Prishtinë, 12 janar 2017) ka qenë gazetar, përkthyes dhe publicist shqiptar.[1]

U lind në Pejë, ku ndoqi shkollimin fillor dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 besonin në idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe krejt grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por me qenë se ishte i mitur (16-vjeç), i mban vetëm 30 ditë burg dhe lirohet.[2]

Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej vetëm në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht.

Kur e përfundon, pranohet gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Më 1950 regjistron Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia finanson i jati i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomon në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Me të mbaruar të studimeve rikthehet në gazetën “Rilindja”, që tash ishte bërë e përditshme, ku për 12 vjet rresht punon redaktor, reporter i lirë dhe kolumnist, kolumnet e të cilit ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte landën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 magjistron me temën “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Kelmendi arriti të krijojë edhe një opus të begatë letrar. Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70–’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kerkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës.

Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nëshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Kur pensionohet, Kelmendi nuk ndalet. Më 1996, Ramiz Kelmendi fiton një ide të padëgjuar dhe të re në krejt hapësirat shqiptare që po dilnin nga komunizmi: idenë per hapjen e një institucioni privat arsimor. Kelmendi vendosë të hapi Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në krejt hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, që ka funksionuar deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Kelmendi vdiq si njëri nga emrat më të shquar të krejt një brezi intelektualësh, të kulturuar në ish-Jugosllavi, që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin dhe percepcionin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave.[3]

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 12 janar 2017. Marrë më 12 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 14 janar 2017. Marrë më 12 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  3. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 12 janar 2017. Marrë më 12 janar 2017. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)