Kisha e Shna Ndout, Gjakovë
Kisha katolike e Shën Andonit | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Gjakovë, Kosovë |
Ndërtuar | Shek. XIX |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Nr. i referencës | 638 |
Kisha katolike e Shën Antonit e njohur edhe si Kisha e Shna Ndout është një kishë katolike dhe monument i trashëgimisë kulturore në Gjakovë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".
Përshkrim dhe histori
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha e Shën Ndout gjendet në "Rrugën e katolikëve”, përballë Kishës së Shën Palit dhe Shën Pjetrit, në Gjakovë. Kisha e parë ishte ndërtuar më 1882 dhe quhej Kisha e Patër Milës, por ajo u shkatërrua më vonë. Më 1931, Patër Lorenc Mazreku e ndërtoi në të njëjtin vend kishën e sotme. Kjo kishë u quajt "Shënjtorja e Shën Antonit të Padovës" ose ndryshe "Kisha e Shna Ndout". Kjo kishë u rinovua disa herë, me ç'rast iu bashkëngjitën edhe konaqet, zyrat, nyjat sanitare, por duke iu përmbajtur arkitekturës origjinale. Kisha i takon tipit të kishave me një nef drejtkëndësh dhe me dy kambanore. Me boshtin e saj gjatësor, kisha është e orientuar në drejtimin perëndim – lindje. Hyrja në objekt gjendet në anën perëndimore dhe është e theksuar me dy kambanore. Dera në hyrje të kishës është e thjeshtë dhe pa dekorime të portalit që përfundon me hark. Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe prej hapësirës së altarit me sakrastine. Enterieri në kuptimin arkitektonik është i pastër dhe i dukshëm me bazë drejtkëndore dhe gati simetrik. Në anën jugore të Kishës është i bashkangjitur aneks objekti i administratës. Në vazhdim të nefit gjendet hapësira e altarit me bazë katrore dhe altari, i cili paraqet elementin dominues të kompozicionit të enterierit. Kambanoret janë të vendosura në anën lindore dhe theksojnë hyrjen në kishë. Kulmi i tyre është i thjeshtë – katërujor. Enterieri i sotëm i kishës nuk është në gjendjen origjinale të saj pasi që në fillim të viteve ‘90 janë kryer punime në brendinë e kishës (ka ardhur gjerë te përdorimi i materialeve të reja si mermer dhe qeramikë). Fasadat e kishës kanë një arkitekturë të pastër jo të ngarkuar me detale, ku vlen të ceket sidomos përfundimi i hapjeve me gjysmëhark. Karakteristikë tjetër në këtë objekt është që përfundimi i çdo pjese të objektit në lartësi përfundon me nga një dekor të thjeshtë, në një ritëm të rregullt. Hapjet e dritareve janë të rregulluara në një rresht nga katër dritare në çdo anë (fasada veri dhe jug).[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
- ^ "KISHA KATOLIKE E SHËN ANTONIT (SHËN NDOUT) (Gjakovë)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 13 nëntor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine