Frano Prendi (Shkodër, 27 gusht 1928 - Bruksel, 28 dhjetor 2011) ka qenë arsimtar dhe arkeolog shqiptar.

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër, i biri i Simon dhe Marie Prendit, pas vëllait Markut dhe para dy motrave Veneranda dhe Angjelina.[1]

Arsimin fillor (kl. I-V) dhe 6 vitet e para të gjimnazit, i ka kryer në liceun françeskan të qytetit, dhe pas mbylljes së tij si dhe të shkollave të tjera klerikale në shkurt 1946, ai i vazhdoi mësimet në gjimnazin e shtetit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1947. Që në vitin 1943, në moshën 15 vjeçare, ai përfshihet në grupet e të rinjëve antifashistë të qytetit duke kontribuar aktivisht në mbështetje të luftës nacional-çlirimtare. Në vitet e para të pas çlirimit(1944-1947), ai aktivizohet në veprimtaritë artistike të qytetit, duke marrë pjesë si në korin përfaqësues të tij ashtu edhe duke luajtur si aktor në disa pjesë teatrale të vënë në skenë në atë kohë. Në vitin 1947 jeta e tij do të ndryshonte përgjithmonë dhe do të merte një drejtim krejt tjetër. Për rezultatet e shkëlqyera të gjimnazit, ai do të përzgjidhej për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin Historiko-Filozofik të Beogradit. Këtu ai përfundoi vetëm vitin e parë, pasi me ndërprerjen e mardhënjeve midis Shqipërisë dhe ish Jugosllavinë, ai do t’i vijonte studimet në të njëjtin fakultet, por tashmë në kryeqytetin bullgar. I diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin Historiko-Filozofik të Universitetit të Sofies në vitin 1951(nr. diplomës 34342), me vlerësimin maksimal në të gjitha lëndët mësimore, ai do të rekomandohej nga Instituti i Shkencave të Tiranës, për të vazhduar një kurs specializimi në fushën e arkeologjisë pranë Muzeut Arkeologjik të Sofies, për një periudhë 6 mujore. Në marsin e vitit 1952, ai kthehet në atdhe dhe menjëherë fillon punë si arkeolog në Muzeun Arkeologjik të Institutit të Shkencave në Tiranë, të krijuar në vitin 1948.

Vlersimet e marra për kontributet e dhëna në arkeologji

Redakto

Për kontributin e tij shkencor në fushën e kërkimeve dhe studimeve arkeologjike ai është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë me Urdhërin “Naim Frashëri”. Për herë të parë ai dekorohet në vitin 1968, me urdhërin “Naim Frashëri të klasit II”, me këtë motivacion : “ Për punë të palodhur dhe kontribut të rëndësishëm që ka dhënë në përcaktimin e vendvarrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut”. Një vlerësim më i plotë për kontributin e tij të shkëlqyer do të vinte në vitin 1984, kur ai dekorohet me urdhërin “Naim Frashëri të klasit I” me këtë motivacion: “ Për arritje shumë të mira në fushën arkeologjike prehistorike, për veprimtari të frytshme në drejtimin dhe udhëheqjen shkencore të sektorit ku punon, si dhe për ndihmesën e dhënë për kualifikimin e kuadrit të ri”. Në 75 vjetorin e ditëlindjes së tij profesori dekorohet nga presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “ Mjeshtër i madh” me këtë motivacion : “ Për kontribut të shquar në ktijimin dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare, në hedhjen e bazave të studimeve ilire në Shqipëri dhe formimin e brezave të rinj të arkeologëve”. Titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” ai e kishte fituar që në vitin 1972, ndërsa titullin “Drejtues Kërkimesh” i njëvlefshëm me titullin profesor do ta fitonte në vitin 1994

Kontributi në fushën e arkeologjisë prehistorike shqiptare

Redakto

Veprimtaria e tij kërkimore-shkencore në terren fillon në vitin 1952. Vitet e para të veprimtarisë së tij shkencore(1952-1959) do të përqëndroheshin në gërmimin dhe studimin e kulturës së varrezave tumulare ilire në hapësirën shqiptare. Ky orientim i kërkimeve arkeologjike në këtë fushë studimi, diktohej nga fakti se kultura ilire dhe ajo protoilire në këtë kohë ishte akoma shumë pak ose aspak e studiuar. Gjatë kësaj periudhe u kryen prej tij gërmime në varrezat tumulare të Vajzës së Vlorës, të Vodhinës, të Bodrishtës dhe të Kakavijës së Dropullit të sipërm, të Mjedës dhe të Grizhës të zonës së Shkodrës si dhe në tumat e luginës së Matit etj. Një vend të veçantë në këtë fazë të parë të veprimtarisë së tij zënë dhe gërmimet e gjata dhe shumë rezultative të tumave të luginës së Matit( 1952-1959), të cilat duhej të gërmoheshin para se të përmbyteshin nga ujrat e liqenit të hidrocentralit të Ulzës. Gërmimet e para në këtë luginë filluan nga F. Prendi dhe S. Islami me një sondazh në tumën e Kokërdhokut, që shërbeu si pikënisje për një projekt afatgjatë gërmimesh në luginën e Matit, gjatë të cilit do të gërmoheshin 35 tuma dhe do të bëhej e mundur njohja e kulturës ilire të Matit, nëpërmjet një lënde shumë të pasur arkeologjke. Gjithashtu që në atë kohë, ai vinte theksin mbi praninë e një grupi të pasur kulturor ilir në luginën e Matit të ngjashëm me atë të Glasinacit të Bosnjës. Këto ngjashmëri të mëdha kulturore e shtynë F. Prendin, ashtu si edhe prof. K. Kilian që të emërtonin grupin kulturor ilir të Matit me binomin Mat-Glasinac[2].

Vendbanimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm në historinë e prehistorisë shqiptare është padyshim ai i Maliqit. Ky vendbanim shumështresor është gërmuar nën drejtimin e prof. F. Prendit për 10 fushata gërmimi në vitet 1961-1966, 1973-1974 dhe 1989-1990, që sollën si rezultat gërmimin e rreth 1000m2. Këto gërmime përbëjnë një kontribut të shkëlqyer dhe mjaft rezultativ të prof. F. Prendit. Maliqi do të mbetet në historinë e arkeologjisë sonë si baza e të dhënave të prehistorisë shqiptare, si vendbanimi i parë stratigrafikisht i gërmuar dhe i studiuar dhe si shkolla e parë e përgatitjes së kuadrove të reja në fushën e arkeologjisë prehistorike. Mbi bazën e një stratigrafie mirë të përcaktuar në Maliq, do të formulohej nga Frano Prendi për të parën herë një sekuencë të plotë dhe të pandërprerë të zhvillimit të qytetërimeve pre e protohistorike duke filluar që nga neolitit i vonë e deri në fund të periudhës së hershme të hekurit, dhe një kronologji relative mjaft të sigurtë e fazave evolutive të kulturës së Maliqit. Në stratigrafinë e Maliqit, kultura e bronzit të hershëm Maliq III a-b shfaqet me tipare krejt të reja dhe është përcaktuar qartë e mirë si dukuri e menjëhershme dhe e papritur e sipërvënë shtresës eneolitike. Këto do të ishin disa konstatime të një vlere të veçantë shkencore, që çuan në atë kohë në konkluzione të rëndësishme historike, lidhur me gjenezën e këtij formacioni të ri kulturor të periudhës së hershme të bronzit. Ai e zgjeroi hapësirën e studimit edhe në rajone të tjera të Shqipërisë, për të krijuar një pamje sa më të plotë të zhvillimit prehistorik të vendit tonë. Këtu mjafton të përmendim gërmimet e tij në Kamnik dhe Luaras të Kolonjës, në Podgori dhe në Sovjan të Korçës, në Blaz dhe në Nezir të Matit, në Belaj të Shkodrës etj, të cilët sollën një bazë më të gjerë dokumentare për thellimin e studimeve të prehsitorisë dhe protohistorisë shqiptare. Në vitet e fundit të veprimtarisë së tij në terren(1993-2000), prof. Frano Prendi ishte bashkëdrejtor i projektit shqiptaro-francez të Sovjanit, ku ai ka drejtuar me kompetencë për disa vjet gërmimet në këtë vendbanim prehistorik të epokës së bronzit dhe të hekurit, të cilat, të mbështetura edhe me analiza të hollësishme labaratorike, konfirmuan konkluzionet e arritura nga Frano Prendi para shumë vitesh në vendbanimin fqinjë të Maliqit

Kontributi në fushën pedagogjike dhe të kualifikimit e arkeologëve të rinj

Redakto

Prof. Frano Prendi ka zhvilluar një veprimtari disavjeçare mësimdhënëse universitare. Ai ka kryer detyrën e pedagogut të arkeologjisë pranë fakultetit të historifilologjisë të Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1966. Kjo punë e tij universitare do të ndërpritej në vitin 1967 nga valët e revolucionit kulturor kinez që tronditën të gjithë superstrukturën e shoqërisë shqiptare të kohës, përfshirë edhe atë të arkeologjisë. Nën emrin e qarkullimit të kuadrove, do të largoheshin nga Tirana shumë punonjës shkencorë, përfshirë këtu edhe Frano Prendin, i cili dërgohet si mësues i gjuhës ruse në gjimnazin e Lezhës(1967-1970), ku ai do ta vazhdojë me të njëjtin pasion punën e pedagogut, krahas punës intensive kërkimore shkencore që zhvilloi në këtë qytet. Gjithashtu, që në gërmimet e tij të para në varrezat tumulare ilire, dhe në mënyrë të veçantë në gërmimet e gjëra dhe shumëvjeçare të vendbanimit prehistorik të Maliqit, prof. Frano Prendi, kryente njëherësh edhe rolin e pedagogut për studentët dhe arkeologët e rinj, traditë që do të vazhdonte në të gjitha gërmimet e mëvonshme të tij. Ai i shëndroi gërmimet arkeologjike në Maliq në një shkollë të vërtetë të pehistorisë shqiptare, ku studentët e arkeologjisë dhe arkeologët e rinj, mësuan në praktikë se çfarë ishte në të vërtetë kultura materiale dhe stratigrafia kulturore e një vendbanimi, se cila ishte gjuha dhe fjalori i tyre specifik. Ai u mësoi atyre metodat shkencore të gërmimit dhe të studimit të stratigrafisë kulturore, të trajtimit shkencor të materialit arkeologjik si dhe të interpretimit historik të tij. Qëllimi i tij ishte përgatitja dhe krijimi i një ekipi të aftë arkeologësh që do ta çonin më tej studimin e kulturave pre dhe protohistorike në Shqipëri. Krijimi i kësaj shkolle të prehistorisë shqiptare, ku u përgatit një brez i tërë prehistorianësh, është padyshim një kontribut i çmuar i Frano Prendit. Ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kualifkimin shkencor të kuadrit të ri, duke udhëhequr punën e tyre shkencore, si në proçesin e gërmimit ashtu edhe në përgatitjen disertacioneve të tyre pasuniversitare. Ai është treguar gjithnjë i gatshëm dhe i papërtuar për konsultime, duke u shpjeguar atyre me durim eksperiencën shumëvjeçare të tij lidhur me përpunimin shkencor të materialit arkeologjik dhe botimin e tij.


Referime

Redakto
  1. ^ Drini, Faik; Bunguri, Adem (5 janar 2012). "Frano Prendi, shuhet një ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare". zerikosoves.com. Arkivuar nga origjinali më 12 mars 2021. Marrë më 22 shkurt 2021.
  2. ^ Revista Iliria